Numër rekord i vizitorëve në “DokuFest

Numër rekord i vizitorëve në “DokuFest

228 filma, nga 43 vende të ndryshme të botës, do të shfaqen gjatë edicionit të sivjetmë të “DokuFest”-it, ndërsa interesimi i audiencës është jashtëzakonisht i madh.

“DokuFest”-i në edicionin e tij të 14-të, duke u bazuar në konferencën e sotshme të organizatorëve të festivalit, ka thyer rekordet e të gjitha edicioneve për nga numri i vizitorëve të huaj e vendorë dhe aplikuesve për filma.

Chris Torch teksa ka folur për programin dhe punëtoritë e “Corners” në “DokuFest” ka treguar se ka udhëtuar shumë nëpër Evropë dhe ka qenë në shumë festivale, por që nuk ka parë ndonjëherë një vend ku qyteti dhe festivali ndërlidhet si në Prizren.

“Qyteti e ka mirëpritur festivalin, e ka bërë pjesë të tij, unë shoh shumë njerëz që lëvizin përreth, ndoshta disa prej tyre shkojnë për të parë filma, të gjithë janë pjesë e ambientit kulturor që festivali ka krijuar dhe unë me të vërtetë dua t’ju uroj për këtë gjë”, është shprehur Cris Torch.

“Corners” do të paraqesë tri projekte këtë vit në kuadër të “DokuFest”-it e që janë: “Papyrint”, “Galeria, shtëpia e zogjve”, “Oh my home – Lost & found”. “Corners” është një platformë e krijuar për artistët dhe publikun, e drejtuar nga organizatat kulturore në skajet e Evropës. Në prill të vitit 2012, “Corners” vizitoi Kosovën. 30 artistë dhe punëtorë kulturorë në mesin e shumë vendeve tjera erdhën edhe në Prizren për të dëgjuar historinë, kulturën dhe jetën e saj. Tri vjet me vonë “Corners” kthehet e etur për t’i ritreguar historitë e dëgjuara në vendin që ka qenë një frymëzim i madh.

Në konferencën e tretë në kuadër të “DokuFest”-it pjesëmarrës kanë qenë edhe Domenik Gagnon, regjisor i filmit “Of The North”, Frida dhe Lasse Barkfors, regjisorë të filmit “Pervert Park” dhe Pamela Cohn, kuruese e programit special “Sound of my Soul”.

Në kuadër të festivalit është prezantuar edhe puna e dy artisteve nga Bosnja e Hercegovina, që merrem me gruan dhe përpjekjen e saj që ta ruajë, ta mbajë, ta fusin në kamuflazh hapësirën e tyre shumë të rëndësishme. Adela Jusic dhe Andreja Dugandzic janë vetëm dy prej artisteve që janë pjesë e ekspozitës “Unerasable”, që sjell diskursin edhe të migracionit, si një konsekuencë e të qenit i kërcënuar dhe mënyrë për të mbijetuar.

“Pjesa jonë quhet ‘qëndisje’, ndërsa kemi qëndisur pozicionet e ndryshme të grave në një shoqëri. Derisa gratë tentojnë të performojnë në një shoqëri, ato ngrihen kundër vlerave patriarkale, traditave dhe roleve gjinore e sfidave që vijnë bashkë me to, duke krijuar kështu një rezistencë”, ka treguar artistja Dugandzic.
Pos artisteve nga Bosnja në ekspozitë paraqiten edhe artistët Jeton Muja, Artan Hajrullahu, Maureen Bachaus, Vladimir Miladonovic, Ana Frangovska, Igor Sekovski e artistë të tjerë.

Ndërtimi i identiteteve të reja kombëtare është një prej pikave kryesore të ekspozitës, e cila në një prej dyerve të saj tek Lumbardhi na ofron edhe thyerje xhamash. Secili nga vizitorët e ekspozitës mund ta shfrytëzojë një gur të rëndë për ta thyer xhamin, ndoshta identitetin e vjetër.
Jeton Muja vazhdon të merret me thënien “hetimet vazhdojnë”, si një shprehje që vjen kaq e bajatshme në kontekste të ndryshme sociale.
Artisti, Vladimir Miladinovic, vjen me serinë “Free Objects”, e cila përqendrohet në një listë dokumentesh, ku janë objektet e gjetura në disa varreza masive në Batajnicë, në Beograd, në vitin 2001 e më pas më 2002.

Përveç filmave, karakteristikë e këtij festivali tashmë është bërë edhe jeta e natës, ku mysafirët i dëfrejnë bende të ndryshme muzikore.

“Tritonik” ka ardhur nga Mauritius për të performuar në “DokuFest”. “Tritonik” kombinon bukur ritmet afrikane dhe ngjyrat orientale nën hijen e këngëtarit blues.

Në po të njëjtën natë ka performuar edhe radio “Noet Noet”, duke krijuar

një spektakël plot me tinguj afrikanë