Liderja e tabelës, FC Llapi nesër pasdite në ‘Zahir Pajaziti’ përballet me Flamurtarin në kuadër të javës së 10-të të Vala Superliga e Kosovës në futboll.

Llapjanët pas disfatës xhiron e kaluar, në duel me skuadrën nga kryeqendra kërkojnë tu kthehen fitoreve.

Madje, trajneri i llapjanëve, Tahir Batatina në një prononcim për Sporti24.com, ka thënë se skuadra e tij nuk guxon të gabojë në duel me flamurtarasit.

Ai është i bindur se skuadra e tij do të marrë pikët maksimale në ballafaqim me Flamurtarin.

“Presim fitore duke parë ecurinë e skuadrës, formën e ekipes dhe pozitën tabelore që nuk na lejohet të gabojmë në mënyrë që ta ruajmë kreun e tabelës dhe të arkëtojmë sa më shumë pikë”, ka thënë Batatina për Sporti24.com.

“Kërkojmë fitore, por gjithmonë duke respektuar ekipin mike”, tha strategu llapjanë.

Llapi aktualisht kryeson renditjen tabelore me 17 pikë të tubuara, e ndjekur nga Trepça ’89 që ka një pikë më pak, kurse, Flamurtari ndodhet në pozitën e parafundit me vetëm gjashtë pikë të grumbulluara.

Ndeshja mes Llapit dhe Flamurtarit nis në orën 14:00.