Shqipëria është shndërruar në një vatër “të nxehtë” tërmetesh këto javët e fundit.

Qindra lëkundje janë ndjerë në vend por fatmirësisht, në asnjë rast nuk është raportuar për persona të lënduar. Edhe mbrëmë janë regjistruar tërmete të tjerë dhe sërish epiqendra është te Gjiri i Lalzit.

Më i forti ndër 12 tërmetet e kapur nga IGJEUM ishte 3 ballë i shkallës Rihter. Pjesa më e madhe e tërmeteve nuk janë ndjerë pasi ishin me intensitet të ulët.

Kjo situatë vijon prej thuajse dy javësh, prej lëkundjes së fortë prej 5.2 ballësh me epiqendër në Gjirin e Lalzit.

Sizmologët thonë se lëkundjet e ditëve në vijim janë normale pas tërmetit të madh dhe zgjasin nga disa ditë në disa javë.

Veç dëmeve që shkaktoi tërmeti i madh, qindra lëkundje që kanë pasuar nuk kanë shkaktuar dëme materiale.