Kampanja e presidentit Trump “nuk kreu komplote” me Rusinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 në Amerikë, thuhet në raportin e hetusit special Robert Mueller.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, William Barr, ka paraqitur në Kongres përmbledhjen e tij të konkluzioneve kryesore nga hetimi i posaçëm i Robert Mueller, në lidhje me pretendimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA të vitit 2016.

Barr dhe Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein erdhën në përfundim se nuk kishte prova të mjaftueshme për të mbështetur një ndjekje penale ndaj Presidentit për pengimin e drejtësisë.

“Përderisa ky raport nuk arrin në përfundimin se Presidenti ka kryer një krim, ai gjithashtu nuk e përjashton atë”, e ka cituar Barr hetuesin special Robert Mueller.

Barr dhe Rosenstein thanë se provat e mbledhura në hetimin e posaçëm nuk ishin “të mjaftueshme për të vërtetuar se Presidenti bëri shkelje ligjore” .

Kongresi Amerikan sot pranoi një letër ku ishin gjetjet dhe konkluzionet e raportit të posaçëm të Mueller.

“Hetimi i Këshillit të Posaçëm nuk gjeti që fushata e Trump apo dikush që shoqërohej me të kishte komplotuar ose ishte koordinuar me Rusinë në përpjekjet e saj për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016” thuhet në letër.