Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grongahl, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e arritur për dhurimin e pajisjeve mjekësore, respektivisht 100 respiratorëve nga Mbretëria.

Pas aktit të nënshkrimit, ministri Mehaj dhe ambasadori Grongahl, vizituan Qendrën Mjekësore të FSK-së, ku nga drejtori i Qendrës Mjekësore, Dr. Shkëlzen Syla u njoftuan me pajisjet e dhuruara si dhe me aftësitë dhe kapacitetet aktuale profesionale, teknike dhe funksionale të Qendrës.

Në prononcimin para mediave, ambasadori Grongahl, ka thënë se Mbretëria e Norvegjisë, përmes këtij donacioni synon të mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes me pajisje mjekësore –respiratorë me qëllim të rritjes së kapaciteteve teknike dhe mjekësore të Qendrës Mjekësore të FSK-së në mënyrë që të menaxhojë sa më efektshëm situatën emergjente shëndetësore për shkak të pandemisë COVID- 19.

Ai gjithashtu, theksoi se bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe ministrive do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, ministri Mehaj tha se ky donacion është tregues i fuqishëm i përkushtimit të shtetit mik norvegjez për mbështetjen ndaj Kosovës, të dëshmuar që nga paslufta në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e vendit tonë si dhe për të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes.

Donacioni i sotëm përfshinë sasinë prej 100 respiratorëve dhe kapë vlerën rreth 1 milion euro duke përfshirë edhe koston e trajnimit të stafit për përdorimin e këtyre pajisjeve.