Historia e pasluftës e klubit të ping pongut “Lidhja e Prizrenit” është duke u treguar para botës nëpërmjet filmit “Pa vend”, i cili është pjesë e festivalit më të njohur, Kanë.

Regjisori Samir Karahoda, në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv ka folur për nominimin e këtij filmi për “Palmën e Artë”, duke thënë se është një ndjenjë jo e zakonshme si për të ashtu edhe për tërë ekipin.

“Përzgjedhja në një festival si ai i Kanës na bënë krenar të gjithëve e po ashtu është një rast i jashtëzakonshëm për të promovuar kinematografinë dhe vendin tonë para industrisë më të madhe të filmit në botë”.

Ai ka deklaruar se do të jetë një garë e fortë, pasi sipas tij ka filma kredibil për “Palmën e Artë”.

“Në këtë rast nuk mund ta dimë asnjëri, pasi që e gjitha varet nga komponimi i jurisë, ku mendoj që është një juri jashtëzakonisht kredibile. Jam i sigurt që do të jetë një garë e fortë dhe kualitative pasi që të gjithë dhjetë filmat që janë përzgjedhur nga afër 3800 filma, të cilët kanë aplikuar për këtë konkurrencë dhe nuk besoj që në mesin e tyre ka filma që nuk e kanë merituar pjesëmarrjen në këtë program”, ka thënë Karahoda.

“Pa vend” tregon përpjekjet e dy protagonistëve të udhëhequr nga trajneri i tyre që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë. Pavarësisht sfidave të tyre në këtë rrugëtim, lufta e tyre dhe e ekipit në krye me trajnerin është diçka e pa parë dhe e pa imagjinueshme.

Regjisori ka theksuar se “Filmi është realizuar në formën Doku-Fiction, ku në të njëjtën kohë paraqesim edhe gjendjen aktuale të situatës në Kosovë duke u kombinuar me rikrijimin e skenave të klubit gjatë periudhës së pasluftës”.

Karahoda ka theksuar se pas publikimit zyrtar të lajmit nga ana e festivalit të Kanës ata kanë marrë me dhjetëra ftesa nga festivale të ndryshme nga vende të ndryshme të botës për të vlerësuar filmin.

“Për momentin i kemi disa konfirmime nga disa festivale të cilat nuk mund të i publikojmë pasi që rregullat janë që festivalet përkatëse duhet të publikojnë lajmin nga ana e tyre e pastaj ne. Përparësia e të qenurit në një festival të tillë është se shumë festivale dërgojnë ftesa për filmin në vend se ne të aplikojmë tek festivalet”, ka theksuar Karahoda.