Forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë edhe në orët e mbrëmjes në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Burime të “Indeksonline” bëjnë të ditur se arsyeja e rrethimit të këtij burgu është bërë nën dyshimin për ikjen e një të burgosuri nga aty.

“… Është planifikuar që një i burgosur i Dyzit të tentohet të nxirret nga burgu”, kanë thënë këto burime.

Ndryshe, zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha ka thënë se policia sipas autorizimeve merr veprime ligjore në të gjitha territoret e Kosovës.

“Po, Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike ndërmerr veprime të saja ligjore në të gjithë territorin e vendit duke përfshirë edhe lokacionin në fjalë (Burgun e Sigurisë së lartë)”, është shprehur ai.