Njeriu Zotin dhe veten nuk mund t’i gënjejë asnjëherë

Njeriu Zotin dhe veten nuk mund t’i gënjejë asnjëherë

Shkruan: Faik KRASNIQI

Jeta është kthyer në një shfaqje me maska. Në fakt gjithmonë kështu ka qenë, por dikur njerëzit i vendosnin këto maska vetëm në raste të veçanta, ndërsa sot vetëm në raste të veçanta i heqin…

Mbase arsye për këtë është fakti që njerëzit janë detyruar të afrohen shumë në një kohë që dashuria për njëri-tjetrin është zbehur prej “luftës së madhe”…

Lufta, një farë Darvinzmi Social… Nuk besoj në Darvinizëm, por nëse do ishte e vërtetë, ky tip evolucioni do na kthente në majmunë (ose ndonjë kafshë tjetër) prapë…

Kulmi i hipokrizisë!

Hipokrizia është si miopia. Thuhet që nuk ka njeri në botë që mos të ketë një defekt sado të vogël me miopinë. Ka që kanë nevojë për syze, ka edhe nga ata që nuk i shqetëson. Është një pyetje që e kam pasur në mendje. Por, është ndryshe të mendosh për të, apo të kërkosh t’i japësh ndonjë përkufizim, dhe ndryshe ta jetosh dhe të përballesh me hipokrizinë.

Të jesh hipokrit do të thotë të mos jesh vetvetja. Dhe ajo që kam kuptuar deri tani është se, sikur edhe asgjë të mos i besh, asnjë dëm të mos i shkaktosh dikujt, vetëm duke qenë hipokrit me të, tashmë e ke lënduar. Dhe nuk ka gjë më të keqe se një marrëdhënie njerëzore që fillon e vërtetë, për të përfunduar në hipokrizi. Shija është e hidhur sa s’bëhet.

Nëse sillen me hipokrizi ndaj nesh, të tillë fillojmë bëhemi edhe ne. Oh, sa më mirë do ishte të ndryshonim gjërat sapo fillojmë dallojmë diçka të tillë. Të mos pajtohemi me gjendjen, aq më keq të biem pre e saj, por të kërkojmë të kemi një marrëdhënie siç duhet. Dhe nëse ‘sëmundja’ shërohet, kemi fituar/rifituar një marrëdhënie njerëzore. Nëse duket se është e vështire të arrihet kjo gjë, zgjedhja ime do të ishte më mirë ta shkëpusja atë komunikim sesa të shikoja të ushqehej hipokrizia tek unë dhe personi tjetër.

Sepse mendoj se nuk ka gjë më rraskapitëse për shpirtin njerëzor se të mos qenit vetvetja, mbajtja e maskave që peshojnë, të cilat shpejt bëjnë që edhe ato pak virtyte që mund të kenë mbijetuar, t’i shikosh të vdesin pak nga pak prej kësaj gjendjeje. Shpirti është krijuar për të qenë i lirë, dhe për sa kohë burgoset në qeli si ajo e hipokrizisë, ai nuk do arrijë të jetë kurrë i lumtur dhe i plotë.

As Zoti nuk na bie në fije!

Hipokrizia është gjithkund, fatkeqësisht…Por tek ne shqiptarët hipokrizia është tepër e theksuar. Hipokrizia për shqiptarët është shndërruar mbi të gjitha në një luftë për ’ekzistencë’. Lufte e atillë që vetëm të ’zgjuarit’ ia arrijnë ta çojnë deri në fund. Jemi hipokritë të mëdhenj. Mashtrues dhe gënjeshtarë. Në njërën anë themi se e ’duam’ aq shumë atdheun, por në anën tjetër çdo ditë e plaçkitim, e vjedhim, e dhunojmë, e shkatërrojmë, e degradojmë. Nuk lëmë gjë pa i bërë. E pastaj themi: Pse jemi katandisur aq keq? As Zoti nuk na bie në fije.

Njeriu mund të harrojë momentalisht, mund të dehet dhe të mendojë veten ndryshe nga ç’është në të vërtetë, por diku thellë në ndërgjegjen e tij e dinë mirë se kush është.

Prandaj, njeriu Zotin dhe veten s’mund t’i gënjejë asnjëherë…

Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit “Llapi.info”.