Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve për të pasur kujdes ndaj etheve të minjve. Ata kanë njoftuar se këtë vit, një pacient është në gjendje të rëndë.

“Duke pasur parasysh se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve. Këtë vit, një rast i raportuar nga Klinika Infektive është në gjendje të rëndë klinike”, thuhet në deklaratë.

Sipas njoftimit për media, burimi i infeksionit janë minjtë, ndërsa sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt.

“Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse”, vijon njoftimi.

Trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës janë tri mundësi se si mund të marrim ethet. Ndërsa trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se pacienti paraqitet me kohë. Po qesë të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat.

Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës.

IKSHP ka paraqitur edhe masat parandaluese:

  1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
  2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
  3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë
  4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar
  5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar
  6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve
  7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies
  8. Mos hidhni mbeturina kudo
  9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes
  10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve
  11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.