Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Arben Bilalli, që është drejtor i Financave të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Luan Latifi, kryeshefi i saj, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.B. dhe L.L e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, në bazë të nenit 187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehurit A.B. dhe L.L në cilësinë e personave zyrtar kanë kryer në bashkëkryerje kryer veprën penale Marrja e ryshfetit nga neni 421 par.1lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën, kryeshefin e Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi, nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, është arrestuar edhe drejtori i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), Arben Bilalli, i cili është ndaluar po ashtu me dyshimin për marrje të ryshfetit.