Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për aksident trafiku me fatalitet, B.K.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e ka përpiluar prokurorja Ajshe Ferati dhe përfaqësuar në seancë prokurori Ali Ajdini.

“Pas vlerësimit dhe analizimit të kallëzimit penal, provave materiale dhe informacionet e siguruara nga ana e policisë, shkresave dhe foto-dokumentacionit që gjenden në lëndë, prokuroria ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari e ka kryer veprën penale të lartëpërmendur dhe me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në procedurë, pengimit të rikryerjes së veprës penale dhe zbatimit të suksesshëm të procedurës penale, kërkojmë që të pandehurit t’i caktohet paraburgimi në bazë të nenit 187 par.1 pika 1, si dhe pika 1.2.2 dhe 1.2.3”, tha fillimisht  prokurori Ajdini.

Sipas prokurorit Ajdini dhe kërkesës në fjalë, për caktimin e masës së paraburgimit, nëse i pandehuri gjendet në liri, rrethanat e posaqme tregojnë se ai do të pengoj rrjedhën e procedurës penale.

Kërkesa për caktimin e kësaj mase, e përfaqësuar nga prokurori Ajdini, u bazua në pikën 2.5.1, pikës 2.5.2 dhe asaj 2.5.3 të nenit 165 par.2 të KPPK-së.

“Për shkaqet e cekura në këtë kërkesë, kemi gjetur se masat e tjera për sigurimin e të njëjtit në procedurë janë të pamjaftueshme dhe jo adekuate në rastin konkret”, ka përfunduar prokurori Ajdini.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit B.K, sipas detyrës zyrtare, avokati Bekim Sfishta, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke theksuar se nuk ka kushte ligjore për caktimin e kësaj mase, duke kërkuar që të pandehurit t’i caktohet një masë alternative apo të mbrohet në liri.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari në fjalë, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Minir Hoti, ka caktuar për të dyshuarin masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 21.02.2021 dhe do të zgjasë deri më 21.03.2021.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të datës 22.02.2021, B.K., dyshohet se me datën 21.02.2021, rreth orës 14:10, në fshatin Shakovicë, ka shkelë nenin 53 par.1 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, në atë mënyrë që ka drejtuar automjetin e tipit “Smart Forfour”, në rrugën nacionale e cila qarkullon nga drejtimi i Podujevës, në drejtim të Prishtinës, nga pakujdesia duke menduar me mendjelehtësi se deri tek aksidenti nuk do të vijë, ka rrezikuar komunikacionin dhe jetën e njerëzve, sepse duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit kushteve dhe rrethanave në rrugë, me pjesën ballore të automjetit të cilin e drejtonte e ka goditur këmbësorin tani të ndjerin V.A., i cili në atë moment ishte duke e kaluar rrugën nga ana e majtë në anën e djathtë, ku nga forca e goditjes i dëmtuari tani i ndjeri V.A., kishte rënë mbi kapakun e motorit dhe në parafingo e më pas në tokë, dhe si pasojë e kësaj i dëmtuari tani i ndjeri V.A., nga lëndimet e marra në këtë aksident kishte mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, kurse e dëmtuara H.K., e cila është bashkëshortja e të dyshuarit dhe ka qenë bashkëudhëtare  – pasagjere në këtë automjet, ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar me emergjencë në QKUK.

Me këtë, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 370 par.9 lidhur me par.6 dhe par.1 të KPRK-së.