Janë bërë një muaj që nga dita kur u arrestua ish-presidenti Hashim Thaçi, ish kryeparlamentari Kadri Veseli dhe deputeti Rexhep Selimi. Po atë ditë, ata u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specialuzuara me seli në Hagë, derisa Jakup Krasniqi ishte transferuar një ditë më herët.

Arrestimi i tyre u bë pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja. Kjo aktakuzë, prej 68 faqesh, që është e redaktuar, është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Çfarë thuhet në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit?

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Sipas aktakuzës së Dhomave të Specializuara, pjesëtarë të tjerë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale janë Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Konfirmimi i aktakuzës dhe çka pastaj?

Dhomat e Specializuara pretendojnë se në korrik të vitit 1998, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, sipas aktakuzës në këto operacione ishin të përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi. Sipas aktakuzës, disa të ndaluar më pas ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi ishte identifikuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.

Në një tjetër rast, që sipas aktakuzës pretendohet se ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, ku, siç pretendon Gjykata, “Thaçi dhe Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe ushtruar dominim ndaj njësive që ishin të lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që ishin të lidhura me qeverinë në ekzil”.

Aktakuza pretendon se më 1999, Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Në aktakuzë pretendohet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave ; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet… etj”.

Përmes veprimeve ose mosveprimeve, thotë aktakuza, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.

Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arrest se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.