Edhe pse në kohë pandemie, LDK ngriti mocion votëbesimi ndaj ekzekutivit kosovar në Kuvendin e Kosovës. Më 25 mars, me 82 vota për, u rrëzua Qeveria e Kosovës.

E një javë pas, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se partia e tij është e angazhuar për luftimin e virusit corona.

“Në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e këtij virusi; për konsolidimin e mëtejmë të sektorit shëndetësor dhe atij të arsimit”, ka thënë Mustafa në Facebook.

Ai ka thënë se janë formuar edhe grupe ekspertësh brenda partisë për të kontribuar rreth situatës së krijuar.

Ky është postimi i plotë i Isa Mustafës:

Qytetarë të respektuar,

Ballafaqimi me pasojat COVID-19 do të jetë mbi te gjitha prioritetet.

Në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e këtij virusi; për konsolidimin e mëtejmë të sektorit shëndetësor dhe atij të arsimit.

Do të trajtohen të gjitha burimet dhe potencialet e brendshme dhe të jashtme financiare, do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit në aspektin e konsumit, kursimit dhe likuiditetit dhe masat për likuiditetin e sektorit financiar në tërësi.

Prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomise dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera. IM