Një autostradë fillon më 2017, tjetra përfundon më 2018

Autostrada “Arbën Xhaferi” do të jetë e gatshme për qarkullim më së largu më 20 janar 2018, por ministri Infrastrukturës, Lutfi Zharku thotë se me punimet që po kryhen, kjo autostradë ka gjasa të përfundojë në fund të 2017-s.

“Autostrada “Arbën Xhaferi” është punuar me temp në përputhje me kontratën. Deri tash janë paguar 165 milionë euro, ndërsa progresi fizik që është i njëjtë me atë financiar është 27%. Sipas kontratës ajo do të përfundojë më 20 Janar 2018, por besojmë në fund të 2017-s do të jetë e gatshme”, ka thënë Zharku në “Rubikon” të KTV-së.

Sipas ministrit, Qeveria e Kosovës dhe kontraktuesi janë pajtuar në parim që një pjesë e të hollave të paguhet edhe gjatë 2018-s, edhe pse kjo, sipas tij, nuk është përcaktuar në kontratë, transmeton Koha.net.

Vetëm këtë vit janë ndarë 108 milionë euro për të paguar punëkryesin e autostradës, por kjo edhe mund të ndryshojë.

“108 milionë euro këtë vit janë ndarë, por do të shohim që nëse mbesin para nga projektet tjera në ministri tjera, të shtojmë buxhet për ta dërguar autostradën deri në Babush”, ka thënë më pas Zharku, duke shtuar se lëshimi i segmenteve të përfunduara të autostradës varet nga Qeveria e Kosovës.

Pjesa e autostradës Kaqanik-Han i Elezit nuk do të ketë tunele, por sipas ministrit Zharku ai aks i rrugës do të jetë me ura. Por ai nuk tha se ka marrë një konfirmim të fundit nga pala maqedonase nëse ata do ta vazhdojnë autostradën.

Ndërsa autostrada Prishtinë-Gjilan do të fillojë në prill të vitit 2017
“Autostrada për Gjilan, përpos zgjerimit kam kërkuar nga Lipjani për Shkup me dalje në Gjilan deri tek Dheu i Bardhë. Jemi duke e kryer projektin e detajuar, për të cilin BERZH ka thënë se nëse kryhet këtë vit do të lëvizin në drejtim të financimit”, ka shtuar Zharku, duke thënë se kjo sjell të mira ekonomike dhe investime pasi kredia nga BERZH do të paguhet për 20 vjet.

Ndërsa për pjesën e mbetur të Autostradës “Ibrahim Rugova”, nga Besia deri në Merdare, ai tha se do të vazhdojë, por Banka Evropiane dhe Komisioni Evropian do të bëjnë edhe njëherë studimin e fizibilitetit edhe në këtë pjesë, por edhe në pjesën serbe, që më pas edhe të financohet nga ata