Prodhuesi japonez i veturave, Nissan, është duke e planifikuar mbylljen e më shumë se 10 mijë vendeve të punës si pjesë e përpjekjeve për ringjallje të kompanisë. Lajmin e kanë bërë të ditur mediet japoneze.

Kjo kompani kishte njoftuar në muajin maj se do t’i mbyllë 4800 vende pune në nivel botëror për shkak të rënies së fitimit në shkallën më të ulët në dhjetë vjetët e fundit. Përndryshe, për këtë kompani në tërë botën punojnë 139 mijë njerëz.

Pritet që shumica e këtyre vendeve të punës të mbyllen në fabrikat jashtë Japonisë. Ekziston frika se nga ky plan mund të preket edhe fabrika e Nissan-it në Sunderland të Britanisë së Madhe. Punëtorët janë përballur me paqartësi edhe më parë për shkak të Brexit-it dhe vendimit të kompanisë për të mos e prodhuar modelin “X-Trail” në Angli.

Sipas disa burimeve, zyrtarët e prodhuesit japonez do ta japin njoftimin për mbylljen e vendeve të punës të enjten, kur do të publikohet raporti për fitimet gjatë çerekut të parë të vitit. Një zëdhënës tha se nuk do të ketë komente për vendet e punës para këtij publikimi.

Kompania është përballur me rënie të shitjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për shkak të arrestimit të ish-shefit të saj, Carlos Ghosn, lidhur me akuzat për shkelje financiare. Japonezët kanë pasur tensione edhe me kompaninë franceze, Renault, e cila ka 43 për qind të aksioneve të Nissan-it, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.