Ka nisur sot vaksinimi masiv anti-covid edhe në Komunën e Podujevës, ndërkohë që qendër e këtij procesi është bërë një pjesë e shkollës fillore “Xheladin Rekaliu”, shkruan Llapi.info.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në këtë Komunë është pajisur me rreth 2 mijë vaksina. Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se sot janë vaksinuar 159 qytetarë, derisa numri do të rritet akoma më gjatë ditëve në vijim.

“Gjatë ditës së sotme janë vaksinuar 159 persona. Prej tyre, 148 janë me doza të parë, kurse 11 me doza të dyta. Dje jemi furnizuar me 1170 doza të vaksinës “Pfizer” dhe 600 doza të “Astra Zeneca”. Do të furnizohemi vazhdimisht me vaksina nga IKSHPK”, është shprehur Rama.

Më tej, ajo ka shtuar gjatë ditëve ta ardhshme do të rriten ekipet e vaksinimit si dhe numri i atyre që do vaksinohen.

“Deri më sot, procesi i vaksinimit ka shkuar mirë. Qytetarët janë lajmëruar sipas terminëve. Ditët në vazhdim do të rritet numri i ekipeve mjekësore për vaksinim, e gjithashtu edhe numri i të  vaksinuarve”, ka thënë Rama.

Javët e fundit ka shënuar rënie të ndjeshme numri i të infektuave me COVID-19 në rajonin e Podujevës, gjersa për disa nuk është raportuar asnjë rast pozitiv. Kjo ka bërë që numri i rasteve aktive të bie në njëshifror.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse mbi 4.400 pacientë janë shpallur të shëruar./Llapi.info