Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e cila e ka vetëm një pikë të rendit të ditës, debatin parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara e thirrur nga LDK-ja dhe Vetëvendosje.

Në seancë janë të pranishëm vetëm deputetët e opozitës, LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Kjo seancë ishte thirrur më 5 mars, por pavarësisht që dyzet deputetë opozitarë kishin kërkuar mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme, për 500 mijë eurot e ndara nga Qeveria për përvjetorin e 11-të të pavarësisë, ajo kishte dështuar, raporton KTV.

Në seancë me 5 mars kishin shkuar vetëm 20 deputetë, dy prej tyre ishin nga pozita.

Deputetët e pushtetit patën akuzuar opozitën se ka zgjedhur të brengoset për paratë në ditën kur Kosova kujtonte rënien e heroit Adem Jashari.

Por LDK-ja kishte insistuar se nderimi me i madh që mund t’u bëhet të rënëve është që të diskutohet për mjetet dhe paranë publike që po e keqpërdor pushtetit.

Ndërkaq nesër mbahet debat parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti.