Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vizituar fshatin Shtedim për të përcjellë mbarëvajtjen e fushatës së korrje-shirjeve, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në Komunën e Podujevës, ka filluar fushata e korrje-shirjes, ndërsa, për të përcjellur nga afër rrjedhën e fushatës, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me drejtorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu, kanë vizituar fshatin Shtedim.

Kryetari Bulliqi, u shpreh i kënaqur me dinamikën e zhvillimit të fushatës dhe rendimentet që po realizohen këtë vit.

“Falë kushteve të mira klimatike fushata e korrje-shirjeve po zhvillohet mbarë e mirë, po ashtu kjo ka pasë ndikim që të kemi edhe rendimente të mira të grurit. Për bujqit llapjanë uroj të korra të suksesshme e të bereqetshme me dëshirën që të plotësohen nevojat, e të ushqehemi nga produkti i tokave tona”, tha kryetari Bulliqi, derisa po përcillte fushatën e korrjes-shirjes.

Kryetari Bulliqi, gjithashtu u zotua se sektori i Bujqësisë, përherë do ta ketë vëmendjen e Komunës, për mbështetje.

Ndërsa, Vigan Salihu, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Komunës së Podujevës (DBPZHR), tha se në territorin e Komunës së Podujevës me drithëra këtë vit janë të mbjellura 5.560 hektarë. Prej tyre 4.932 hektarë me grurë, 72 ha me elb, 61 ha thekër dhe tërshërë 495 ha.

Këtë vit rendimentet e grurit në territorin e Komunës së Podujevës sillen prej 4500 deri 4700 kilogram për hektar./Llapi.info

May be an image of outdoors
May be an image of grass