Hakerët kanë ndërmarrë një mori sulmesh kibernetike për të shfrytëzuar rastin në kohën kur njerëzit po punojnë nga shtëpia në Britani të Madhe dhe gjetkë, derisa mbyllja si masë mbrojtëse ka detyruar njerëzit që të përdorin sisteme të panjohura familjare për të kryer punë. Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në Gjermani, ekonomia më e madhe e kontinentit evropian, raportojnë mediat lokale të këtyre dy shteteve.

Kaosi si mundësi

Përmasat e sulmeve që po shënjestrojnë sistemet kompjuterike të punëtorëve në shtëpi janë ngritur për 12 për qind në trafikun e letrave elektronike krahasuar me kohën para mbylljes në Britani të Madhe, më shumë se gjashtë javë më parë, kanë treguar të dhënat të ofruara nga kompania e sigurisë kibernetike “Darktrace”, e të cilat i ka siguruar gazeta londineze, “Guardian”.

Sulmet kanë pasur qëllim specifik që të shfrytëzojnë kaosin e krijuar nga koronavirusi i ri, me rastet e para të identifikuara në shtetin ishullor qysh në janar, por që autoritetet qendrore qeveritare kishin marrë masa për frenimin e përhapjes vetëm në muajin mars.

E përditshmja “Guardian” shkruan se hakerët kishin nisur të shpeshtonin sulmet qysh në muajin e parë të vitit, kur virusi me kurorë kishte nisur të bëhej kryelajm në mediumet më të mëdha të botës.

Dhe sulmet janë ngritur në mënyrë të sofistikuar, duke shënjestruar në mënyrë specifike shqetësimet të lidhura me koronavirusin. Dhe krejt kjo ka bërë që sulmet të përqendrohen në sistemin financiar të qytetarëve, të cilët po mundohen të menaxhojnë nga distanca financat e tyre në llogaritë bankare.