Para pak çastesh një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Gradicë të Drenasit, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë fshat, si pasojë e të shtënave me armë zjarri është vrarë një i mitur dhe është plagosur rëndë babai i tij.

Burime të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin, i cili është fqinj me të vrarin dhe të plagosurin.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar policia e rajonit të Prishtinës. Nga kjo drejtori i kanë thënë Sinjali se vrasje dhe plagosja kanë ndodhur në pyllin e këtij fshati.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 20:30 policia ka pranuar informatën për një vrasje në fshatin Gradicë të Drenasit. Menjëherë pas marrjes së informatës të gjitha njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në të dhënat e deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe plagosjes me armë zjarri, të ndodhur në një pyll në fshatin e sipërshënuar. Në këtë rast plagë nga arma e zjarrit kanë marrë dy persona (meshkuj). Njëri nga personat e plagosur nuk ka përballuar plagët dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF Drenas, ndërsa i plagosuri i dytë, është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë po vazhdojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarje.