Testimi i pacientëve të dyshuar me virusin korona nga nesër do bëhet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, raporton Llapi.info.

Pas trajnimit dhe lejes së lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, testimi për COVID-19 do të nisë në QKMF-në e Podujevës, derisa mostrat do të dërgohen për verifikim dhe rezultat në IKSHPK.

Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia dhe anëtarja e shtabit emergjent në këtë komunë, Bedrie Rama. Rama ka theksuar se për këtë arsye, pacientët s’do të detyrohen të shkojnë në Prishtinë për t’u testuar.

“Kemi marrë leje që prej nesër t’i fillojmë testimet këtu në QKMF-në e Podujevës. Por, duhet theksuar se nuk do të testohen qytetarët që udhëtojnë jashtë Kosovës, përveç atyre që shkojnë për shërim. Po ashtu, s’do të testohen ata persona që nuk kanë simptoma, pa marrë parasysh nëse ka pasur kontakt me persona të infektuar, por do të testohen ata persona që kanë pasur kontakt të ngushtë me të infektuarin si dhe ata që janë me shenja të COVID-19. Laborantja e ka kryer trajnimin dhe sot kam biseduar me Institutin që kanë dhënë leje dhe prej nesër mund të fillojmë me testime”, ka thënë Rama.

Që nga shpërthimi i koronavirusit në Kosovë, deri më tani në Podujevë janë konfirmuar 56 raste me COVID-19, ndërsa 30 persona janë shëruar, kurse 24 raste janë aktive dhe dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e këtij virusi dhe sëmundjeve tjera shoqëruese.

Ndërkaq, nga IKSHPK-ja është bërë e ditur se të hënën është konfirmuar edhe një rast i ri në këtë komunë, i cili vije nga fshati Letanc.

Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka apeluar tek qytetarët llapjanë që t’i respektojnë masat mbrojtëse – maskat dhe të mbajnë distancën sociale.

Në po këtë mbledhje, është kërkuar që policia dhe inspektorët komunalë të përkujdesen për zbatimin e vendimit të Qeverisë lidhur me orarin e punës dhe zbatimin e masave në gastronomi dhe shërbime të tjera./Llapi.info