Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, pas takimit të parë për Task-Forcën e pastrimit të mjedisit, ka bërë të ditur se kjo Task-Forcë do të fillojë punën më 15 shtator.

“Task-Forca e ambientit do të bëhet më 15 shtator dhe sot kishim një takim pune dhe morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e institucioneve po ashtu edhe me propozim nga kryeministri i Kosovës dhe po fillojmë hapat e parë me aksionin më të madh dhe kemi përkrahjen edhe të kryeministrit”.

Ai theksoi se secili institucion do të ketë përgjegjësi në këtë aksion dhe bashkëpunimi me komunat e Kosovës nuk do të mungojë.

“Gjatë javës së ardhshme do ta kemi versionin final të planit të aktivitetit dhe përgjegjësinë që secili institucion do të ketë që është përfshirë këtu dhe do të kemi një bashkëpunim të ngushtë me komunat e Kosovës po ashtu do të ketë shpërblime për komunat e suksesshme dhe mbështetje nga personat e rëndësishme dhe të premten e javës së ardhshme do ta kemi të finalizuar këtë”.

“Gjendja e ambientit tonë është alarmante dhe e patolerueshme dhe nuk do të lejojmë që fëmijët tanë të jetojnë në një ambient të tillë”, shtoi Matoshi.

Matoshi gjithashtu tha se do të ketë masa shtesë dhe gjoba për të gjithë ata që hedhin mbeturina në vendet joadekuate.