Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nesër do të nisë një vizitë zyrtare në Austri.Këtë vizitë, Osmani do të kryejë me ftesën e homologut të saj austriak, Alexander Van der Bellen.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim me të, Osmani do të diskutojë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës në rrugën evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare si dhe konkretizimin e bashkëpunimit për avancimin e Agjendës së Gjelbër.

“Presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Geëessler me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Austri, presidentja Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, ndërsa është paraparë takim me Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare si dhe me Odën Ekonomike Austriake.

“Ndërkaq në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën: Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit”, thuhet në fund të njoftimit.