Në një nga pikat e rendit të ditës në mbledhjen që do të mbahet nesër nga ora 12:00 nga Kryesia e Kuvendit, do jetë edhe interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për faljen e gjobave ndaj bizneseve që kanë shkelur masat anti-Covid.

Kështu u njoftua në uebfaqen e Kuvendit, derisa u paralajmërua përgatitja për një seancë të re plenare.

“Interpelancë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen “Falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19””, thuhet se do jetë pika e katërt e rendit të ditës në mbledhjen e nesërme të kryesisë.

Gjithashtu, pika e fundit e rendit të ditës do të jetë edhe propozimi i një kandidati të ri për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.