Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, priti në takim kryetarin e Komunës së Kestelit, Onder Tanir me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimin mes të dy komunave, transmeton Llapi.info.

Kryetari Bulliqi u shpreh i lumtur për finalizimin e këtij bashkëpunimi ku tha se “Më nënshkrimin e këtij binjakëzimi u zyrtarizua thellimi i bashkëpunimit mes Komunës së Podujevës dhe Komunës së Komunës së Kestelit”.

Me këtë rast, kryetari Bulliqi tha se do të angazhohemi aktivisht në përafrimin e komunave në sektorë të ndryshëm, me theks të veçantë në fushën e bujqësisë, arsimit dhe në fushën e industrisë”.

Kryetari Bulliqi gjithashtu prezantoi disa nga planet zhvillimore të Komunës së Podujevës, si dhe potencialet që i ofron kjo komunë për investitorët e huaj, si dhe shprehu gatishmërinë e komunës për angazhim të vazhdueshëm për mbështetje dhe ofrim të sigurisë për ata që dëshirojnë të investojnë në Podujevë.

Kryetari i Komunës së Kestelit, Onder Tanir u zotua se do të gjallërojnë bashkëpunimin me komunën e Podujevës në fusha të ndryshme, por me theks të veçantë në atë të bujqësisë, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, ndërsa do të punohet në ofrimin e mundësive edhe për sektorët tjerë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të binjakëzimit mes komunave të pranishëm ishin edhe nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, kryesuesi i kuvendit të komunës, Fatmir Gashi, anëtarë të ekzekutivit, këshilltarë të Komunës së Podujevës, Kordinatori i Qendrës Kulturore të Kosovës, z. Rexhep Gundur dhe këshilltarë dhe deputetë të kuvendit komunal në Kestel.

Delegacioni nga komuna e Kestelit së bashku me anëtarë të ekzekutivit të komunës së Podujevës, në kuadër të agjendës së paracaktuar, gjatë ditës do të zhvillojnë vizita në institucione dhe kompani të ndryshme./Llapi.info