Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi së bashku me kryetarin e Linizut të Austrisë, Klaus Luger, kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit mes të dy Komunave, raporton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se binjakëzimi është nënshkruar në Austri, ndërkohë që ka shtuar se nga kjo marrëveshje do të ketë zhvillim për të dyja vendet.

“Me ftesë të kryetarit të Linzit, z. Klaus Luger po qëndrojmë në vizitë zyrtare me një delegacion nga Komuna e Podujevës në këtë qytet të Austrisë. Me kryetarin Luger sot kemi nënshkruar marrëveshjen për binjakëzimin e Podujevës dhe Linzit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për dy qytetet tona për të ngritur ura të reja të miqësisë dhe të bashkëpunimit në shumë fusha në interes të zhvillimit të dy qyteteve. Për mua, si kryetar i Komunës së Podujevës, ishte një nder i veçantë të nënshkruaj marrëveshjen e binjakëzimit me një komunë të njohur austriake dhe shumë të zhvilluar industrialisht. Bashkëpunimet tona do të jenë kryesisht në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, politikave sociale dhe kulturës”, ka shkruar ai.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit me kryetarin Luger, u zotuam të punojmë shumë dhe në mënyrë aktive në përafrimin e dy qyteteve tona dhe thellimin e miqësisë, në të mirë të qytetarëve e veçanarisht të rinjve tanë. Qyteti i Linzit ka shumë shqiptarë, ndër ta edhe bashkëvendas tanë nga Llapi. E, njëri prej tyre Prof. dr Shkelzen Sinani ka qenë iniciatori kryesor i vendosjes së kontakteve dhe takimeve tona me kryetarin Luger deri në finalizimin e marrëveshjes së binjakëzimit”, ka shkruar ai.

Përveç Linzit, Podujeva ka nisur procedurat për binjakëzim edhe me Komunën e Kestelit të Turqisë./Llapi.info