Një kamion për Brigadën Zjarrfikësve të Podujevës është blerë nga Komuna në vitin 2020, nën qeverisjen e LDK-së, pa procedurë të prokurimit, shkruan Llapi.info.

Kjo gjetje është evidentuar nga Auditori i Përgjithshëm. Sipas Raportit të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Komuna e Podujevës kishte lidhur kontratë për blerjen e një kamioni për departamentin e zjarrfikësve, në vlerë prej 69 mijë e 500 eurove, duke anashkaluar procedurat e përcaktuar të prokurimit publik.

“Komuna kishte lidhur kontratë prej blerjen e një Kamioni për departamentin e zjarrfikësve në vlerë prej 69,500€ duke anashkaluar procedurat e përcaktuar të prokurimit publik. Komuna kishte nënshkruar një marrëveshje me Ambasadën Japoneze ku financimi ishte nga Qeveria Japoneze, por që në marrëveshje nuk kishte ndonjë kusht që e përjashton aplikimin e procedurave të prokurimit. Sipas marrëveshjes në mes komunës dhe donatorit nuk është parashikuar zbatimi i rregullave dhe/ose procedurave të tjera të prokurimit. Ndikimi Mos aplikimi i procedurave të prokurimit, zvogëlon konkurrencën dhe transparencën për shpenzimin e parasë publike dhe komuna mund të marrë produkte me çmime jo të favorshme”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në po këtë raport, ZKA-ja ka thënë se kryetari i Komunës duhet të sigurohet se blerja e shërbimeve apo produkteve, duhet të bëhet sipas procedurave adekuate të prokurimit. Sipas ZKA-së, në rastet kur financimi është nga donatorët, duhet të definohet me marrëveshje të financimit se çfarë procedura të prokurimit parashikohen të zhvillohen.

Më 25 qershor të vitit 2020, Komuna e Podujevës pati njoftuar se ka pranuar donacionin për këtë kamion për Brigadën e Zjarrfikësve.

“Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, sot ka pranuar donacion një automjet nga Japonia për Brigadën e Zjarrfikësve në Podujevë. Nënkryetari Rudari ka falënderuar Ambasadën për donacionin, i cili do të ndihmojë në efikasitetin e shërbimit të zjarrfikësve”, pati njoftuarr Komuna./Llapi.info

Ambasada japoneze i dhuroi një automjet Brigadës së Zjarrfikësve në Podujevë