Në shkollën Fillore e Mesme e Ulët “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik sot është përuruar këndi i lojërave për fëmijë, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Me një ceremoni solemne, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në shkollën Fillore e Mesme e Ulët “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik sot është përuruar këndi i lojërave për fëmijë, donacion i Shoqatës gjermane “KINDERAUGEN” dhe bashkatdhetarit Afrim Zhugolli.

Me rastin e përurimit të këtij projekti, Veliu tha se ndjehet i lumtur që, falë një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm me Shoqatën gjermane “KINDERAUGEN” dhe falë kontributit të madh të bashkatdhetarit tonë Afrim Zhugolli, kjo shkollë u bë me kënd të lojërave për fëmijë, kurse biblioteka e shkollës u pasurua me tituj të rinj.

“Shkolla ‘Kongresi i Manastirit’ në Gllamnik është e veçantë, për faktin se në këtë shkollë funksionon edhe paralelja ku vijojnë mësimet fëmijët me nevoja të veçanta”, tha ai, me rastin e përurimit të këndit të lojërave.

Në përurimin e këtij projekti mori pjesë edhe përfaqësuesi i Shoqatës Gjermane “KINDERAUGEN”, i cili u shpreh i lumtur që ky kënd i lojërave do të jetë në dispozicion të nxënësve të kësaj shkolle.

Në shenjë falënderimi për realizimin e këtij projekti, kryetari Veliu nderoi me mirënjohje përfaqësuesin e Shoqatës Gjermane “KINDERAUGEN” dhe bashkatdhetarin Afrim Zhugolli./Llapi.info