Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme rajonale po trajtohen 622 pacientë, prej të cilëve 441 janë raste të konfirmuara me COVID-19.

Në njoftim theksohet se në trajtim me respiratorë janë 11 raste, ndërsa me oksigjenoterapi 385 pacientë. Me makinën për frymëmarrje, sipas metodës CPAP, po trajtohen 35 pacientë.

Kosova po vazhdon të regjistrojë shifra të larta të të infektuarve dhe të vdekurve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 196 raste të reja të të infektuarve.

Rezultatet janë në bazë të 475 testimeve.

Sipas IKSHPK, nga sëmundja kanë vdekur edhe 16 duke çuar numrin e të vdekurve në 300.

Të shëruar janë konstatuar 134 pacientë.

Që nga muaji mars në Kosovë janë infektuar 9.688 persona, prej tyre 5.480 janë shëruar, ndërkaq raste aktive janë 3.908.