Qyteti i Podujevës brenda një kohe të shkurtër mund të bëhet ‘Prizreni’ i dytë i Kosovës.

E kjo jo për faktin e lashtësisë e monumenteve që ka ky qytet, por për faktin e vendosjes së kubëzave të shumta në çdo pjesë të qytetit, shkruan Llapi.info.

Kubëzat që deri më tani janë përdorur vetëm për trotuare, kanë filluar të përdoren edhe për mbylljen e gropave të shumta të cilat gjenden në rrugët e kësaj komune.

Lidhur me këtë, zyrtari për informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi ka thënë se arsyeja e mbylljes së gropave me kubëza është duke u bërë për shkak të mungesës së asfaltit.

Përveç kësaj, Elezi tha se arsye tjetër është edhe mungesa e operatorit për riparim të rrugëve të asfaltuara ku tenderi për përzgjedhjen e tij tashmë është në procedurë.

“Është në procedurë të prokurimit tenderi për përzgjedhjen e operatorit për riparimin e rrugëve të asfaltuara, në qytet ashtu edhe në fshatra.
Në disa vende në qytet, ku dëmtimi i rrugëve ka paraqitur rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion, është bërë intervenim emergjent me kubëza (në mungesë të asfaltit)”, tha Elezi.

Kujtojmë se gropa mbuluara me kubëza janë në numër të konsiderueshëm në Podujevë ku cilësia e tyre është shumë më e dobët sesa një shtresë asfalti.Gropa e cila gjendet në rreth-rrotullim që lidhë rrugët “Skënderbeu” dhe “Brigadat”’ është shembulli më i mirë i cilësisë së këtyre kubëzave.

Përveç kësaj, situatë e njëjtë mund të shihet edhe tek rruga e objektit të ri të komunës, në udhëkryqin që dërgon në parkun e Pishave e shumë gropa të tjera në rrugën e qytetit./Llapi.info