Foto ilustrim

Në Kizhevak të Serbisë është konfirmuar ADN-ja e mbetjeve mortore të zhvarrosura. Nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit konfirmuan për KosovaPress se i përkasin viktimave të masakrës së Rezallës, të ndodhur më 5 prill 1999.

Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit, thotë për KosovaPress se lokacioni i varrezës masive në Kizhevak është prioritet, por bën të ditur gjithashtu se gjatë këtij viti do të këtë gërmime edhe në Prizren, Gjakovë dhe ka mundësi rikthimi në Mitrovicë.

“Në bazë të raporteve të ADN-së mbetjet mortore të zhvarrosur deri më tani i përkasin viktimave të masakrës së Rrezallës, 5 prill ‘99. Ka disa lokacione të tjera brenda territorit të Republikës së Kosovës tani më të shënjuara të cilat do të trajtohen në ditët në vijim për shkak të përmirësimit të kushteve klimatike. Paraprakisht gjatë këtij viti veç se është punuar janë gërmuar 3 lokacione, lokacioni i varrezave të qytetit të Gjakovës, në Brekoc të Gjakovës ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të një personi viktimë e luftës. Lokacioni në ‘Arbanë’ të Prizrenit gjithashtu janë zhvarrosur mbetjet mortore të një personi dhe lokacioni në Mitrovicë të besimtarëve myslimanë në të cilat nuk ka pasur gjetje mortore, por ka disa lokacione pa përjashtuar mundësinë rikthimit në këto lokacione”, tha ai.

Gara po ashtu bën të ditur se nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kizhevak janë identifikuar dy persona, me ç’rast i kanë njoftuar familjet dhe pritet që këto mbetje mortore t’u kthehen familjeve.

“Nga eshtrat që janë gjetur në vitin e kaluar siç jeni njoftuar janë pranuar rezultatet e ADN-së për të paktën 2 persona të identifikuar dhe në këtë rast familjet e këtyre dy personave janë njoftuar dhe shumë me rëndësi që edhe gjatë këtyre ditëve gjatë gërmimit vlerësues hasen dhe shfarosen mbetjet mortore të viktimave të luftës. Dhe në momentin e identifikimit këto mbetje mortore të riatdhesohen në Republikën e Kosovës, t’u dorëzohen familjeve si një përpjekje e vazhdueshme institucionale e institucioneve të Republikës së Kosovës që familje dhe familjarë të personave të pagjetur te dinë dhe të mësojnë sa më parë fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur dhunshëm si pasojë e luftës në Kosovë”, tha ai.

Më 5 maj të këtij viti kanë rifilluar gërmimet në Kizhevak të Serbisë, gërmime të cilat ishin ndërprerë për shkak të kushteve klimatike.

Pjesë e ekipit të Kosovës janë, dy antropologë, Halit dhe Valon Hyseni, dy mjekë të mjekësisë ligjore Naim Uka, Musa Gashi, si dhe dy fotografë mjeko-ligjorë, Bedri Rexha dhe Driton Spahiu.