Në Kaçanik sot nisin xhirimet e filmit horror “Katunar”

Regjisori kanadez Dion Ventress do të arrij sot në Kosovë ku edhe do të nis xhirimet e filmit të parë horror në Kosovë.

Ky regjisor ka zgjedhur qytetin e Kaçanikut që të realizoj xhirimet e këtij filmi, dhe tashmë edhe zyrtarisht është nënshkruar marrëveshja për lokacionin.

Filmi do të quhet “Katunar” dhe ky zhanër po realizohet nga Kuanis Peto Group, kompani kjo që udhëhiqet nga vet regjisori dhe producenti Dion Ventress.

Ventress, do të pritet në aeroportin e Prishtinës, nga vetë zyrtarë të komunës së Kaçanikut.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, thotë të jetë ndier i nderuar që regjisori ka zgjedhur komunën e Kaçanikut për të bërë xhirimet.

“Është një nder që Kaçaniku është zgjedhur si lokacion për një film që do të lansohet në tregun internacional. Qytetarët e Kaçanikut dhe të Kosovës në përgjithësi janë të ngazëllyer që për herë të parë një projekt kinematografik internacional, do të realizohet këtu. Dëshirojmë mirëseardhje të ngrohtë”, citohet të ketë thënë ai.

Në një komunikatë të dërguar nga Kuanis Peto Group thuhet se storia ‘Katunar’, ka zgjuar interesimin e kompanive të produksionit në Amerikën Veriore, Skandinavi, si dhe distributorëve të filmit, aktorëve që janë kurioz dhe mbështetës për projektin, gjatë pre-produksionit.

Ndërsa në Kosovë, Ventress do të ketë zyrë të përhershme për kompaninë e tij të produksionit Kuanis Peto Group, dhe do t’u bëj të mundur partnerëve të marketingut që të punojnë me homologët e tyre kanadezë.koha.net