Trotuari i cili u përurua para 1 muaji nga kryetari Veliu në Dumnicë të Podujevës po del të mos jetë i kualitetit të mirë.

Në një video të dërguar nga një banorë i asaj ane, shihet se ai trotuar ka filluar të “qahet” ani pse ka pak kohë që është shtruar, njofton Llapi.info.

Opozita në Podujevë e ka fajësuar komunën dhe kompaninë e cila i ka kryer punimet.

Zëdhënësi i PDK-së, Flakron Gashi ka fajësuar kompaninë “Vëllezërit Hyseni” e cila sipas tij është kontraktuar nga komuna për t’i kryer këto punime. Ai ka thënë se kjo kompani ka fituar 10 tenderë, vlera e të cilëve arrinë mbi 170.000 euro.

“Në komunën e Podujevës nuk është risi kryerja e punëve dhe realizimi i projekteve me cilësi të dobët. Sikurse ky trotuar në fshatin Dumnicë, këtë  gjendje e kanë shumica e trotuareve nëpër fshatrat të tjera, punime këto të realizuara nga kompania “Vëllëzërit Hyseni”.Kjo kompani vetëm në vitin 2016 ka fituar 10 tenderë, e po ashtu edhe në 6 mujorin e parë të vitit 2017 i ka fituar 7 tender, vlera e përgjithshme e të cilëve arrin mbi 170 mijë euro, të dhëna këto zyrtare bazuar në raportet financiare.Nuk e di se çfarë e bënë të veçantë këtë kompani për organet drejtuese komunale, por sipas të dhënave zyrtare kjo kompani i fiton tenderët për secilin rast ku shtrohen trotuare me kubza betoni. Kjo kompani, hyn në mesin e 7 kompanive të tjera të “privilegjuara” të cilat brenda 1 viti arrijnë të marrin qindra tenderë në vlerë prej miliona eurosh.tha Gashi.

Zyra për Informim në Komunën e Podujevës ka thënë se “Kompania punëkryerëse do ta sanojë dëmtimin e trotuarit në Dumnicë, sepse afati garantues është një vit.”

Nga ana tjetër, Ragip Fetahu nga LVV ka thënë se taksat e qytetarëve po keqpërdoren. Sipas tij, këto punime po bëhen pas asnjë kriter.

“Se mjetet e taksapaguesve të qytetarëve keqpërdoren për qëllime elektorale nga komuna, e vërteton fakti i këtij tretuari. Rasti të tilla ka thuajse në të gjitha pjesët e qytetit ku aktualisht komuna ka filluar punimet. Me fjalë tjera, këto punime zbatohen në teren pa planifikim dhe pa asnjë kriter. Ky model i shpenzimit të bugjetit bëhet jo për të lehtësuar jetën e banorëve por për qëllime te vjedhjes dhe kënaqjes së apetiteve të pronarëve të firmave që i zbatojnë punët në teren. Këtë lloj të keqpërdorimit të parave tona, do ta ndalojnë qytetarët llapjan me 22 tetor, duke e ndëshkuar Agim Veliun me votë.”, tha Fetahu.

Më poshtë mund ta shihni videon: