Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është shënuar sot në Komunën e Podujevë me një aktivitet të organizuar nga Organizata holandze CNVP në bashkëpunim me SHFMU “Esat Mekuli” në Dobratin, transmeton Llapi.info.

Në kuadër të zbatimit të projektit Fuqizimi i Qëndrueshëm i Pyjeve Private dhe të decentralizuara në Kosove, financuar nga Ambasada Suedeze dhe implementuar nga organizata holandeze me mision në Kosovë “Lidhim Vlerat e Natyrës me Njerëzit” (CNVP), në fshatin Dobratin u shënua Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, manifestim ky i organizuar nga Organizata CNVP në bashkëpunim me shkollën SHFMU “Esad Mekuli”.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, drejtori i SHFMU “Esad Mekuli”, Fatmir Rekaliu falënderoi organizatën holandeze për projektin e realizuar si donacion, në instalimin e ngrohjes qendrore përmes kaldajës me biomasë, si dhe ndërtimin e depos për vendosjen e kaldajës dhe mjeteve përcjellëse, që është financuar nga Qeveria suedeze.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, foli për rëndësinë e ruajtjes së pyjeve. Ai tha se komuna e Podujevës është e pasur me pyje, të cilat përfshijnë një sipërfaqe prej rreth 30 mijë hektarë.

“Jemi të vetëdijshëm se në periudhën e pasluftës pyjet në Kosovë, pra edhe në komunën tonë janë dëmtuar shumë, por ne duhet të bëjmë çmos që t’i mbrojmë ato. Krahas mbrojtjes së pyjeve ekzistuese, komuna jonë në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve çdo vit po realizon projekte për ripyllëzim të sipërfaqeve të zhveshura”, tha Januzi.

Januzi e vlerësoi të rëndësishëm projektin e realizuar nga Organizata CNVP në shkollën e Dobratinit, ku ngrohja qendrore funksionon përmes ashklave dhe mbetjeve të tjera të drurëve, që mblidhen nëpër pyje.

Në emër të Organizatës CNVP, Sead Gashi, foli për projektin e realizuar në këtë shkollë, por edhe për rëndësinë e ndërgjegjësimit të popullatës në ruajtjen e pyjeve.

Në shënimin e këtij aktiviteti nxënësit e Shkollës “Esat Mekuli”, kishin përgatitur një program artistik, me tematikë mbrojtjen e pyjeve.