Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, sot ka ndërmarrë një aksion simbolik për pastrimin e mbeturinave në parkun e qytetit të Podujevës, raporton Llapi.info.

VV, me rastin e shënimit të kësaj dite ka kritikuar organet komunale për mos realizimin e investimeve në këtë park dhe mos mirëmbajtjen e tij.

Asamblisti i kësaj partie, Florent Hasani tha se shuma e investimeve e cila figuron në raportin financiar prej 60 mijë eurosh është shumë e cila nuk përputhet me investimet e bëra në këtë park.

“Në bazë të raportit financiar të Podujevës është raportuar se janë investuar 60 mijë euro në këtë park por investimet nuk janë asgjë kundi. Drunjtë e vjetër të cilët zakonisht bien nuk zëvendësohen asnjëherë, ndriçimi mëse i nevojshëm mungon, ulëset edhe ato që janë, janë jo të bollshme dhe mjaftë të dëmtuara. Për këtë park janë të nevojshme edhe këndet e lojërave për fëmijë edhe edhe fusha sportive por nuk shihen asgjë kundi. Ky park ka nevojë për mirëmbajtje dhe kujdes të vazhdueshëm sidomos edhe me vendosjen e tabelave dhe vetëdijesimin e qytetarëve për mos dëmtimin e parkut”, tha Hasani.

Përveç kësaj Vetëvendosje ka kritikuar Komunën e Podujevës edhe për lëshimin e lejes së një betonierke e cila gjendjet në verilindje të parkut, pasi sipas saj ajo betonierkë “është mjaftë e dëmshme si për parkun e qytetit po ashtu edhe për tokat bujqësore.”

Kujtojmë se sot, Dita Ndërkombëtare e Tokës është shënuar edhe në qytete të ndryshme të Kosovës në të cilat kryetarë të tyre kanë mbajtur aktivitete të ndryshme në të cilat kanë bërë thirrje për mbrojtje të ambientit./Llapi.info

Vetëvendosje me aksion në parkun e qytetit në Podujevë

Publiée par Llapi.info sur dimanche 22 avril 2018