Komuna e Junikut, Deçanit dhe Mamushës kanë vendosur të bojkotojë grevën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Por, kjo nuk do të ndodh në Podujevë.

Kështu të paktën ka thënë për Llapi.info kryetari i sindikalistëve të mësimdhënësve në Komunën e Podujevës, Fadil Halimi.

Halimi për Llapi.info ka thënë se vendimi e Haradinajt për rritje të pagave vetëm për mësimdhënësit nuk është i pranueshëm për sindikatën.

“Greva e nesërme do te vazhdoj siç është paralajmëruar sot gjate ditës, pavarësisht deklaratës se kryeministrit, i cili ka reflektuar drejt pas një jave të grevës. Por, ai reflektim për një rritje të vogël të koeficientit vetëm për mësimdhënësit e arsimit fillor e të mesëm nuk është e pranueshme për sindikatën. Ky vendim nuk ka reflektuar me kërkesat tona dhe grevën do ta vazhdojmë deri në plotësimin e tyre”, ka shtuar Halimi.

Ndryshe, SBASHK-u ka refuzuar ofertën e Haradinajt për ngritjen e pagave, ata kanë njoftuar se do të vazhdojnë me greva.