Rreth një milion euro janë investuar për ndërtimin e këtij objekti në Orllan të Podujevës, që ishte i destinuar për vendosjen e fëmijëve jetimë, shkruan Llapi.info.

Ky objekt ka përfunduar 15 vjet më parë, mirëpo i njëjti deri më tani s’është funksionalizuar, e Komuna e Podujevës ka dështuar edhe ta japë në shfrytëzim.

Nga komuna e Podujevës arsyetohen se një herë nuk ka pasur ofertues. Zyrtarë komunalë për këtë fajësojnë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës. Për këtë, siç kanë thënë ata, me vendimin e presidentit neve është ndaluar dhënia e pronave në shfrytëzim për të gjitha pronat.

Në anën tjetër, kritika në drejtim të ekzekutivit kanë hedhur zyrtarë opozitarë dhe shoqëria civile në këtë komunë.

Këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lirika Maliqi, ka thënë se për shkak të mos-funksionalizimit të objektit për qëllimin që kishte, investimi, sipas saj, po del të jetë i kotë.

“Përgjegjëse për këtë është komuna, sepse në kohën e duhur ka dështuar që të bëjë planifikimin adekuat sa i përket këtij objekti. Ne besojmë se ridestinimi si zgjidhje ideale për ridestinimin e këtij objekti do të ishte që ky objekt të shndërrohej në një strehimore që do t’u shërbente grave të cilat janë viktimë e dhunës në familje”, ka thënë për Llapi.info Lirika Maliqi, këshilltare e Vetëvendosjes.

Edhe nga Shoqëria Civile kanë pohuar se investitorë nuk mund të vijën dhe të zhvillojnë aktivitet në një vend, ku sipas tyre, nuk e ka vëmendjen e pushtetit lokal.

Përveç kësaj, komunës së Podujevës tash i ka dalë edhe një problem tjetër me këtë objekt. Një banor i Orllanit pretendon që prona ku është ndërtuar pushimorja është e tij.

Ky projekt kishte filluar të ndërtohej në vitin 2002 me fonde të UFORK-ut, qeverisë e komunës, që kapnin vlerën e 780 mijë eurove.

Kujtojmë, në nëntor të vitit 2018 në Kuvendin e Komunës së Podujevës ishte miratuar vendimi për ridestinimin e objektit të pushimores në Orllan, por deri më tani ky objekt nuk është dhënë në shfrytëzim./Llapi.info