Ditë më parë, Komuna e Podujevës ka publikuar emrat e nxënësve dhe studentëve që kanë përfituar bursa për vitin 2020/2021, raporton Llapi.info.

Përfitues të këtyre bursave janë 118 nxënës dhe 58 studentë, derisa për këtë konkurs kanë reaguar edhe shoqëritë civile në Podujevë. OJQ-të kanë thënë se nga ky konkurs janë anashkaluar studentët shembullorë, kurse për të njëjtin kanë kërkuar të anulohet.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, e ka arsyetuar këtë me buxhetin e limituar për bursa.

“Me keqardhje dua t’ju njoftoj se kësaj here përfitues janë vetëm studentët dhe nxënësit që i takojnë tri kategorive: ata që janë me asistencë sociale, ata që nuk e kanë njërin prind dhe studentët/nxënësit me aftësi të kufizuar. Arsyeja e vetme pse është bërë kjo përzgjedhje është se kemi pasur 1818 aplikime nga ana e studentëve dhe nxënësve, ndërsa buxheti ka qenë shumë i limituar dhe ka qenë e pamundur të bëhet një përzgjedhje tjetër. Përkundër përpjekjes tonë maksimale (arsyeja pse janë vonuar rezultatet) që t’ju ndahet bursa më meritorëve kanë qenë shumë studentë dhe nxënës me rezultate të njëjta, andaj për të mos diskriminuar asnjërin e kemi vlerësuar si rrugë më të drejtë për t’ju ndarë bursa kësaj radhe vetëm këtyre kategorive që janë më të cenueshme dhe kanë më shumë nevojë për mbështetje. Ju kërkoj ndjesë të gjithë studentëve/nxënësve që nuk ishte e mundur të ndahen bursa për ta kësaj radhe”, ka thënë Fetahu në Facebook.

Ndërkaq, Drejtori ekzekutiv i OJQ “Demokracia Fillon Këtu” (DFK), Shemsi Jashari, ka kërkuar që të anulohet ky vendim që ka përjashtuar nga gara nxënësit e studentët shembullorë.

Në këtë listë përfitues janë vetëm studentët pa njërin prind, me asistencë sociale dhe ata me aftësi të kufizuara, dmth në bazë të listë së shpallur nuk gjendet asnjë studentë i kategorisë tjetër që plotëson kriteret përkatëse për të qenë përfitues”, ka shkruar ai në Facebook.

“Gjatë ditës së premte me 14.05.2021 është bërë publikimi i rezultateve në lidhje me përfituesit e Bursës Komunale “, për student dhe nxënës të shkollave të mesme. Ajo çfarë kemi parë në këtë publikim është e joligjore dhe joprofesionale. Janë shkelur kriteret e vendosura nga vetë drejtoria e arsimit në konkursin e shpallur, iu është bërë e padrejtë nxënësve me sukses shembullorë, pasi s’janë marr për bazë pikët sipas suksesit. Kjo është e pa pranueshme dhe duhet të korrigjohet duke anuluar konkursi”, ka shkruar tutje ai.

Sipas Jasharit, Komuna e Podujevës me këtë vendim ka diskriminuar dhe ka bërë padrejtësi ndaj studentëve tjerë që i kanë plotësuar kriteret formale dhe nuk janë përfitues të bursës.

“Rastet sociale duhet të mbështetën në forma tjera jo duke dëmtuar nxënësit e shkëlqyeshëm, edhe ashtu kemi pak”, thotë Jashari./Llapi.info

OJQ: Vendimi i Komunës së Podujevës për ndarjen e bursave për studentë i kundërligjshëm – duhet anuluar

Publikohen listat e përfituesve të bursave në Podujevë