NATO do ta vëzhgojë transformimin e FSK, marrëveshje edhe me fqinjët

NATO do ta vëzhgojë transformimin e FSK, marrëveshje edhe me fqinjët

KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, ka deklaruar komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë, gjenerali Philip Breedlove, i cili ka qëndruar të enjten në Kosovë.

Këtë deklaratë gjenerali Breedlove e ka bërë gjatë një konference për medie në Prishtinë, pas takimeve që ai ka pasur me drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

Ai ka theksuar se me liderët kryesorë të Kosovës ka biseduar për punën e madhe që po bëjnë burrat e gratë në kuadër të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se është mjaft inkurajues roli kontribuues i KFOR-it në ruajtjen e paqes në Kosovë.

Gjenerali Breedlove ka thënë se KFOR-i vazhdon të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, si dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë. Sipas tij, është shënuar përparim i dukshëm, por ka ende mjaft punë për t’u bërë.

“Përderisa Kosova i bën hapat e vet përpara në ndërtimin e së ardhmes, NATO do të mbetet e përkushtuar të luajë rolin e vet për stabilitet këtu. Ne do të mbetemi fleksibil dhe të pranishëm, si dhe do të ndryshojmë (numrin e ushtarëve) vetëm atëherë kur kushtet e sigurisë e lejojnë atë. Ky është një proces i kushtëzuar dhe ne do të qëndrojmë këtu si një forcë domethënëse në Kosovë, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”, theksoi gjenerali Breedlove.

Ai gjithashtu ka folur edhe për mundësitë e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Mendoj se ajo që e kemi thënë vazhdimisht është se do ta vëzhgojmë se si po bëhet transformimi, dhe nëse Kosova do të punojë edhe me fqinjët e saj që të arrijë marrëveshjen; pra ky është pozicioni ynë.”

“Lajmi i mirë është që Forca ka shumë mundësi që të ndërveprojë me KFOR-in për ta marrë përvojën më të mirë, në mënyrë që ta kryejë punën e saj sa më mirë që është e mundur. Natyrisht, ne sërish po presim që të shohim se a kanë marrëveshje me të gjithë fqinjët e tyre dhe ne do t’i mbështesim që ta shfrytëzojnë këtë kohë që të stërviten dhe të trajnohen me KFOR-in, ashtu edhe siç po bëjmë ”, tha gjenerali gjenerali Breedlove.

Në anën tjetër, komandanti i forcave shumëkombëshe të KFOR-it, gjenerali Guglielmo Luigi Miglietta, tha se duhet t’i kushtohet mjaft rëndësi fluksit të madh të migrantëve dhe numrit të luftëtarëve që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja.

Gjithashtu, ai ka theksuar se KFOR-i është mjaft i kënaqur me angazhimin e plotë të institucioneve të Kosovës dhe se sipas tij, rezultatet e para janë të prekshme.

“Një shembull që mund të jap, lidhur me luftëtarët e huaj, është se Policia e Kosovës ka shënuar arritje brenda kornizës ligjore. Dëshiroj të nënvizoj se si Policia e Kosovës demonstroi efikasitetin e saj gjatë këtyre muajve të fundit me një profesionalizëm të lartë.”

“Dëshiroj të nënvizoj bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it. Për ta përmbyllur; KFOR-i do të vazhdojë të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, dhe të garantojë kushte të sigurisë për hapat e ardhshëm drejt procesit të normalizimit”, ka komandanti i KFOR-it, gjeneral Miglietta.