Institui Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dalë me një njoftim në Facebook, ku ka thënë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar në kohë rekorde se është i infektuar me Covid-19.

“Ju themi me kompetencë të plotë se Kryeministri e ka lajmëruar opinionin në kohë rekorde posa e ka marr informaten për SARS CoV-2”, thuhet në njoftim.


Ky reagim i IKSHPK’së erdhi për shkak se sipas tyre, sot janë përhapur lajme të pa baza për mosrespektimin e rekomandimeve të IKSHPK’së nga instancat e larta të shtetit.

Ndërkohë që deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar kryeministrin Hoti për shkak se gjatë ditës së djeshme kishte shkuar në Dragash derisa ishte i dyshuar se është infektuar me Covid-19.

Shkrimi i Kusarit solli edhe reagimin e kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës, i cili e quajti “xhelate” deputeten e VV’së.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të IKSHPK’së:

Qytetarë të dashur të vendit tonë!

Sot janë perhapur lajme të pa baza për mosrespektim të rekomandimeve të IKSHPK, ku të jep përshtypje se njerëz të caktuar, përfshirë edhe instancat e larta te shtetit nuk paskan të drejtë të infektohen. Me respekt ju perkujtojë që virusi nuk zgjedh as moshë as racë as gjini e as shtresa shoqërore. Virusi është kudo dhe nuk e zgjedh askend.

Gjithkush ka të drejtë të infektohet.

Ju lutemi të mos përhapen dezinformata kuturu. Qytetarët tanë nuk e meritojnë të bëhet presion psikologjik por tu ndihmohet ta tejkalojmë sa më lehtë këtë pandemi që po na rrezikon të gjithëve. Kontributi i të gjithëve është i mirëseardhur duke zbatuar rekomandimet e Institutit Kombëtar dhe duke bartur maskën si mjet parandalues obligativ.

Ju lutemi për vetëpërmbajte sepse virusi nuk njeh politikë as funksion politik as fe as etni.

Ju themi me kompetencë të plotë se Kryeministri e ka lajmëruar opinionin në kohë rekorde posa e ka marr informaten për SARS CoV-2.

IKSHPK flet me fakte për këtë dhe i përgjigjet të gjithë atyre që tentojnë të përbuzin e kritikojnë punën e Institutit Kombëtar.

Diagnostikimi laboratorik bëhet sipas indikacioneve epidemiologjike dhe deri sot janë testuar të gjithë që kanë pasur nevojë për shërbim. Rezultatet laboratorike përkundër vështërsive dalin brenda 4 orë deri 24 orë e që paraqet punë të vetëmohueshme te ekipit te ekspertëve të Mikrobiologjisë që krahasohet me laboratoret më të avacuara botërore qoftë për intervalin kohor të shkurtë, qoftë për besueshmërinë e rezultateve. Këtë më së miri e dijnë pacientët e hospitalizuar të cilët po trajtohen me dinjitet nga profesionistët shëndetësor.

Njëherit ekspertët e Institutit Kombëtar ju lusin të ndalen thashethemet, sulmet dhe insinuatat sepse po na pengoni në punë nga ky presion psikologjik, politik e medial. Edhe ashtu jemi ekip i vogël në numër po zemërgjërë të sakrifikojmë jetët tona për të mbrojtur shëndetin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ju lutemi na leni të punojmë në misionin tonë të shenjtë.

Instituti Kombëtar apelon në vetëpërmbajtje sepse është shumë antihimane të merren njerëzit me gjëra personale të kujtdo qofshin në kohë pandemie dhe të lëndohet qenia humane dhe të hidhet gur e dru mbi Institutin Kombëtar nga njerëz që nuk kanë dëshmuar suksese dhe gjitholog që janë duke dëmtuar imazhin e mjekut.