“New York Times” e rendit Mynihun si një ndër atraksionet kryesore të udhëtimeve për vitin 2019. Kryeqyteti i Bavarisë ia ka dalë të renditet në 5 destinacionet më të rëndësishme të listës, pas zonave të njohura për bukurinë e tyre natyrore si Karaibet apo dhe objekte kulti si tempulli Hampi në Indi.

Arsyeja nuk është birra bavareze, por gazeta prestigjoze e rekomandon me forcë qytetin gjerman si pikë kulturore udhëtimi. Teatro si “Münchner Kammerspiele” dhe “Residenztheater” janë ndër më kreativet në Europë, thuhet në artikull.

Vetëm midis muajve janar dhe maj të këtij viti, atje do të shfaqen 30 premiera. Si arsye për të vizituar Mynihun, përmenden gjithashtu muzetë e njohur si Lenbachhaus me koleksionin e artit modern dhe opera Bayerische Staatsoper e drejtuar nga drejtori muzikor, Kirill Petrenko.

Mynihu zë vend qendror, por nuk është i vetmi në këtë land që tërheq turistë si me magnet; të huajt duket preferojnë shumë edhe malet, kështjellat dhe qytetet e gjithë Bavarisë.

Sipas një vlerësimi të Zyrës Federale të Statistikave, landi i Bavarisë pati rritje prej 6,1 përqind të turistëve të huaj në vitin 2018.