Mustafa: Nga sot Jabllanoviq s’është pjesë e kabinetit qeveritar

Mustafa: Nga sot Jabllanoviq s’është pjesë e kabinetit qeveritar

Prishtinë, 3 shkurt – Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se ministri Jabllanoviq nuk do të jetë më pjesë e kabinetit qeveritar. Ai gjatë konferencës për shtyp nuk ka treguar nëse ministri për Kthim dhe Komunitete është shkarkuar apo ka dhënë dorëheqje. Në konferencë ka folur gjerë e gjatë për problemet me të cilat kjo qeveri po përballet që në ditët e para të saj.
“Jemi ballafaquar po ashtu me kërkesat e protestuesve, në dy protestat e kaluara sa i përket Trepçës dhe sa i përket ministrit Jabllanoviq. Unë mund t’iu njoftoj se nga sot ministri Jabllanoviq nuk është pjesë e kabinetit qeveritar”, ka thënë në konferencën për media Mustafa. “Ndërkaq, sa i përket Trepçës, mund të them se, po të mbetej Trepça ashtu si ishte, me vendim të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Kushtetuese, sot Trepça do të ishte në procesin e falimentimit. Por, kjo Qeveri dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për ndryshimin e Ligjit mbi Organizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Aseteve të Tyre, dhe kemi pamundësuar që Trepça t’i nënshtrohet procesit të falimentimit”.
Sipas kryeministrit të vendit, riorganizimi i mëtutjeshëm i Trepçës dhe definimi i saj pronësor do të bëhet pasi të bëhet Strategjia për Trepçën, pasi të jenë konsultuar në mënyrë bazike ekspertët më të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Dhe në saje të kësaj dhe interesave për zhvillim ekonomik jo vetëm të shqiptarëve, por për interesa të të gjitha komuniteteve dhe gjithë qytetarëve tanë, do të vendosim se si do ta definojmë në pikëpamje pronësore Trepçën. Ne kemi propozuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike i cili është në procedurë kuvendore, i cili mundëson që Trepça të definohet me një Ligj të veçantë dhe me një Strategji të veçantë, dhe ne do ta respektojmë këtë”, është shprehur ai.
Ndërsa, pjesa e propozuar e Ligjit që ka të bëjë me të drejtën që komunat të konsultohen, përkatësisht që regjistrimi i ndërmarrjeve publike në komuna të bëhet në marrëveshje me komunat, sipas Isa Mustafës, nuk ka të bëjë fare me Trepçën, dhe është një interpretim i gabuar.
“Ajo ka të bëjë me pronat të cilat do të merren nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit, për nevoja të arsimit, të shëndetësisë, kulturës, sportit, dhe nevoja tjera në interes publik të qytetarëve nëpër komuna, si dhe për investime strategjike të cilat do t’i bëjë Republika e Kosovës në projekte të ndryshme, për të cilat do të vijnë investitorët e jashtëm, dhe assesi që ne të bëjmë shtetëzimin ose ne të shndërrojmë në ndërmarrje publike, ndërmarrjet private të cilat janë sot nën autoritetin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit”.
Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se do të punojnë me të gjithë. Asnjë vendim, sipas tij, nuk do ta marrin as për Trepçën, as për çështje tjera që janë në interes të vendit, pa i konsultuar të gjithë partnerët, pa i konsultuar të gjitha grupet e interesit, dhe pa i konsultuar të gjithë qytetarët, interesat e të cilëve preken me rastin e marrjeve të vendimeve të tilla.
“Dëshiroj që së bashku me juve të ndaj disa prej çështjeve aktuale në vendin tonë dhe angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në zgjidhjen e tyre. Mund të them se Qeveria e Republikës së Kosovës ka trashëguar shumë probleme, qoftë të grumbulluara nga vitet e kaluara, qoftë si pasojë e luftës, dhe gjendjes së paraluftës, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, papunësinë e lartë, varfërinë e lartë, me nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Mustafa. “Kosova po ashtu ka mbetur i vetmi vend në këtë pjesë të Ballkanit që është i izoluar dhe për të cilin zbatohet regjimi i vizave. Nga vendi ynë tani po ik një numër shumë i madh i qytetarëve, sidomos të rinjve, dhe po kërkon shpëtim në vendet e tjera, që flet për një gjendje shumë të rëndë edhe ekonomike edhe sociale, mirëpo edhe për problemet e tjera ekzistuese”.
Mustafa ka theksuar se me programin qeverisës do të mundohen maksimalisht t’i zgjidhim këto probleme, të ofrojnë zgjidhje një nga një, edhe për zhvillimin më të shpejt ekonomik, edhe për punësim më të lartë dhe për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Unë këto ditë jam angazhuar që të punoj edhe me komunat, në mënyrë që në mjedise të ndryshme të trajtojmë problemet konkrete të qytetarëve, ato që kanë të bëjnë me infrastrukturën, mbrojtjen e ambientit, me institucionet shëndetësore, me mundësitë tona komparative apo krahasuese të zhvillimit ekonomik, veçmas në bujqësi dhe disa degë të bujqësisë, në disa komuna të specifikuara, e të cilat kanë të bëjnë me problemet e politikave fiskale të cilat pamundësojnë një nxitje më të madhe të zhvillimit të sektorit privat dhe të punësimit”.
Të gjitha këto, sipas tij, do t’i marrin parasysh në mënyrë që t’i adresojnë tek ministritë përkatëse dhe t’i zgjidhin këto si probleme të tilla.
“Jemi shumë të interesuar që të bëjmë integrimin e veriut, që të krijojmë ura të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, veçmas me komunitetin serb, të vazhdojmë dialogun në Bruksel për të zgjidhur të gjitha problemet dhe çështjet që i konsiderojmë se janë të diskutueshme dhe të debatueshme me qeverinë serbe për të krijuar një stabilitet në rajon dhe për të ardhur deri te gjendja që Serbia do ta pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë në këtë aspekt”, është shprehur kryeministri Mustafa./llapi.info.