Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet lidhur me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, tha se ky organizim ka dështuar në të gjitha nivelet , sepse tri qeveritë Kurti 1, Hoti dhe Kurti 2, që nga fillimi i pandemisë, kanë pasur qasje improvizuese dhe pa plan.

Musliu tha se përkundër faktit që mësimdhënësit në Kosovë po kërkojnë nga institucionet shëndetësore që të futen në listën me prioritet e të vaksinohen kundër COVID-19, qeveria po tallet me ta.

“Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me SBASHK-un, me këshillat e prindërve dhe me mësimdhënësit, qeveria aktuale po bënë presion mbi SBASHK- un duke tentuar ta vendosë kontrollin mbi ta, e nga ana tjetër në këshillin e prindërve të Kosovës për kryetar kemi një militant partiak i cili tërë ditën rri duke bërë propagandë për VV-në në rrjete sociale, në vend që të mirret me problemet e shkaktuar nga pandemia.”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së duke thënë se duhet të ndalen eksperimentet me arsimin kritikoi qeverinë për presion psiqik dhe ndaj mësimdhënësve me futjen në provime vlerësuese, në vend që të ju ofroj trajtime të duhura për menaxhim të stresit gjatë kësaj periudhe.

“Është hera e dytë që mësimdhënësit e Kosvovës po sfidohen. Heren e parë mesimdhënësit e Kosovës kanë dhënë një provim të vështirë. Ata në kohen e aparteidit serb kanë qendruar të palëkundur dhe kanë bërë historinë. Dhe hera e dytë është tani kur kjo qeveri, po tenton t’i vëjë mesimdhënësit para provimit më të rëndë. Herën e parë ishte një kohë e vështirë por dinjiteti i tyre ishte i pacenuar kurse sot kjo kategori po sfidohet në dinjitet në një kohë që përballë kemi edhe një armik të padukshëm që quhet Covid 19. Mesimdhenesit duhet të mbështeten dhe të stimulohen duke ju ofruar kushte e duke ju mbrojtur dinjitetin.”, tha ajo.

Musliu theksoi se Kosova po sfidohet nga egoistët të cilët kanë besuar se me demagogji i hedhin pluhur syve popullit.

“Krejt çka kërkohet nga ju pushtetarë të mbërthyer në hipnozën e pushtetit është që t’i grahni punës dhe të dëshmoni që e keni meritu fitoren. Deri me tani keni dëshmuar vetëm një gjë: që fitorja juaj do të vlerësohet vetëm si një fitore aksidentale e cila shpejtë do të kujtohet dhe ju do të mbaheni në mend vetëm si një ëndërr e frikshme për qytetarët dhe elektoratin tuaj.”, tha Musliu.