Rekomandimi i Komisionit për Bujqësi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ka nxitur debate të ashpëra mes pozitës dhe opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu reagoi ndaj deputetëve të LVV-së, duke thënë se të njëjtit në fjalimet e tyre harruan të përmendin fitoren e 14 shkurtit.

‘’Ju propozoj mos humbni shumë kohë, thërrisni një seancë të veçantë shkarkoni të gjitha bordet përnjëherë dhe kjo përfundon. Në vitet e 80-ta, kur ka ndodhur diferencimi politik, rasti 2 dëbimi masiv i punëtorëve dhe sot shkarkimi i bordeve të pavarura që po ndodhë nga VV në vitin 2021. Faktet e juaja të vetme janë votat në Kuvend, këtë e pranoj, e keni pushtetin kryeni punët se Kosova ka shumë punë. Ministrat e juaj nuk kanë guxim as të vijnë në Kuvend, nuk ka ndodhë kurrë në historinë e Kuvendit që në 100 ditët e para të mungojnë ministrat’’, deklaroi Musliu.

E Haki Abazi nga VV-ja iu kundërpërgjigj Musliut duke i kujtuar dosjen Pronto.

‘’Gjendja e cila u përshkrua nga komisioni nuk do koment, nëse kemi zbritur në numrin 50 mijë prej 400 mijë, secili kish me i largu nga puna që e kanë pru kompaninë në këtë situatë. Ganimete Musliu duhet të rrijë këtu pas fjalimit të saj, e jo të largohet menjëherë. Ajo që duhet të rikujtohet janë përgjimet e Prontos, po të isha unë në pozitën e PDK-së isha turpëruar me refuzue shkarkimin e këtyre bordeve. Edhe për punën e tiketave sigurisht se ne deputetët e VV-së do kërkojmë transparencë deri në fund, na jepni kohë dhe sigurisht që kemi me qitë në dritë çështjen e tiketave. Andaj prapë po kërkoj prej deputetëve qe ta shfrytëzojnë momentin të kthehemi nga e mbara, e jo të mbrohen ata njerëz që ë kanë shkatërruar në palcë kompaninë publike, e sidomos të hekurudhave, që pothuajse janë joekzistente’’, deklaroi Abazi.