Samir Ujkani të enjten regjistroi vetëm paraqitjen e dytë në këtë edicion. Portieri dhe kapiteni i Kosovës luajti për Riseporin në ndeshje të vlefshme për Kupën e Turqisë, shkruan sot në Koha Ditore.

Po të enjten paraqitjen e dytë për skuadrën e tij e regjistroi edhe portieri Arijanet Muriq që këtë muaj për herë të parë pritet të bashkohet me Kosovën. Muriq luajti në nivel dukshëm më të lartë se Ujkani, në klub dukshëm më të njohur.

Ai ruajti portën e njërës prej skuadrave më të mëdha në botë, Manchester City. Manchesteri është kampion në fuqi i Anglisë dhe vlerësohet superfuqi botërore e futbollit.

City fitoi 2:0 ndaj Fulhamit, po ashtu në ndeshje për Kupë, ndërsa Muriqi nuk pati shumë punë. Për Kupë të Ligës kishte luajtur edhe më 25 shtator, kur City fitoi 3:0 në udhëtim ndaj Oxford Unitedit.

Ndeshjen ndaj Fulhamit, City e luajti në shtëpi, pra shtatlarti Muriq debutoi para tifozëve të vet.