Arijanet Muriç po e bind çdo ditë e më shumë trajnerin e Manchester Cityt, Pep Guardiola

Arijanet Muriç po shfaq siguri në portën e Manchester Cityt sa herë që i jepet rasti, shkruan Gazeta Express.

Portieri kosovar ishte titullar në ndeshjen e “Citizens” ndaj Burton Albionit në gjysmëfinale të Carabao Cup dhe e mbylli ndeshjen i pamposhtur, në fitoren e thellë 9:0.

Humbja e Claudio Bravos, i cili ishte lënduar, ia ka hapur rrugën portierit të akademisë.

Tabloidi britanik “The Sun” ia ka kushtuar një shkrim portierit shqiptar nga Mali i Zi, i cili vendosi ta përfaqësojë Kosovën.

Kush është Aro Muriç dhe nga cili vend vjen ai?

Aro (shkurtesa e emrit Arijanet) Muriç ka tri nënshtetësi të ndryshme. Ai është lindur në Zurich të Zvicrës nga prindër shqiptarë nga Mali i Zi.

Portieri i ka zhvilluar dy ndeshje me ekipin U-21 të Malit të Zi dhe në të dyja rastet ishte përjashtuar nga loja.

Në ndeshjen e parë, kundër Bosnje e Hercegovinës, ai ishte nxjerrë nga loja me karton të kuq pasi e kishte prekur topin me dorë jashtë 16 metërshit dhe në rastin e dytë, kundër Sllovenisë, ishte përjashtuar pasi e kishte goditur me kokë kundërshtarin.

Pasi kishte dështuar të ftohej nga Përfaqësuesja A e Malit të Zi, 19 vjeçari vendosi t’i thotë “PO” Kosovës.

Muriç e bëri debutimin me “Dardanët” në ndeshje me Azerbajxhanin, ndërsa pritet të mbrojë për Verdhekaltrit edhe në kualifikimet e “Euro 2020”, përcjell Gazeta Express.

Prej nga e ka transferuar City portierin Aro Muriç?

Aro Muriç ka luajtur për akademinë e klubit futbollit zviceran, FC Zurich para se të lëvizte drejt rivalëve të Grasshoppers.

Në korrik 2017 ai nënshkroi kontratë trivjeçare me Cityn dhe menjëherë u huazua tek ekipi NAC Breda, por e zhvilloi vetëm një ndeshje me skuadrën holandeze sezonin e kaluar.

Sidoqoftë, Muriç e impresionoi trajnerin Pep Guardiola javët e kaluara duke e kaluar Daniel Grimshaë për t’u bërë portieri i dytë i “Citizens”.