Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve Hekuran Murati i është përgjigjur deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekajt i cili e kritikoi për vendimin që KOSTT-i të paguajë 11 milionë euro për rrymën e shpenzuar në veri, shkruan Gazeta Sinjali.

Murati ka thënë se është e pavërtetë që Qeveria ka paguar apo ia ka dhënë mjetet KOSTT-it për ta paguar rrymën në veri.

Madje sipas Muratit, Qeveria Hoti në nëntor të vitit të kaluar ia kishte transferuar KOSTT-it 10 milionë euro për ta paguar rrymën në very, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, transferi ishte bërë nga ish-ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi.

“Është e pavërtetë që Qeveria i ka dhënë apo ia ka dhënë KOSTT-it 11 milionë euro për me pagu rrymën në veri. Është shpifje. Bile bile në fakt janë pikërisht deputetët e opozitës që kanë thënë në Komisionin për Ekonomi që Qeveria duhet me i pagu”, tha Murati.

“Por nëse dojm me ditë se cila Qeveri ka bë një pagesë të tillë, atëherë e kam një lajm për ju z.Berisha. Në kohën kur ju keni qenë në Qeveri, pra LDK-AAK-Nisma e PDK-ja kur ja ka mbajt zhagin, më 26 nëntor i janë transferu KOSTT-it 10 milionë euro për me pagu rrymën në veri”.

“Vendimi është marrë në gusht, komplet Qeveria kanë votu. Interesant është të theksohet se vendimi është marrë në Qeveri, por transferin e ka bë Blerim Kuçi, pikërisht ministër i AAK-së”, tha ai.