Deri të martën e javës që vjen, asnjë qytetarë nuk do të ketë mundësinë që të caktojë termin për vaksinim. Kjo pasi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 29 qershor, të gjitha terminet janë të zëna. Derisa bëhet e ditur se një sasi e vaksinave të blera nga Pfizer do të arrijnë në Kosovë gjatë javës që po vjen.

Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësimin se ditëve të fundit nuk po mund të aplikojnë në platformën E-Kosova për të caktuar termin, për t’u vaksinuar kundër Covid-19, shkruan Gazeta Express.

Atyre nuk po u jepet mundësia që në këtë platformë të caktojnë datë për marrje të vaksinës.

E një sqarim lidhur me këtë për këtë çështje e kanë në Ministrinë e Shëndetësisë. Në një përgjigje për Express, nga Zyra për Informim e kësaj ministrie, kanë thënë se deri më datë 29 të këtij muaji, nuk ka termine të lira.

“Terminet deri me datë 29 janë mbushur, nga kategoritë prioritare në këtë fazë: 65+, personat me sëmundje kronike, punëtorët shëndetësor, policia, FSK dhe mësimdhënësit”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.

E fillimi i caktimeve për vaksinim, sipas MSh-së do të fillojë nga java e ardhshme.

“Nga java tjetër, do të ketë shumë më tepër termine të tjera për qytetaret për t’u vaksinuar”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Ndërsa, për sa i përket numrit të vaksinave që i ka në stok ministria, nga ministria që udhëhiqet nga Arben Vitia po thonë se ka mjaftueshëm.

“MSh ka ne stokun e saj sasi të konsiderueshme të vaksinave për të siguruar secilin qe ka marr dozën e parë që ta marr edhe të dytën, por edhe për të vaksinuar të tjerë me dozën e parë”, thanë zyrtarët e MSh-së për Express.

Nga MSh-ja kanë paralajmëruar se dozat e vaksinave që pritet të vijnë në javën e ardhshme do të jenë në numër shumë më të madh sesa kanë ardhur deri më tani.

“Dozat të tjera vijnë gjatë javës që vjen në numër shumë më të madh se deri tani, nëse jo edhe me herët, dhe vaksinimi masiv do të jetë shumë më dinamik nga java tjetër e tutje deri në arritjen e objektivit të përcaktuar për vaksinimin e 60% të popullatës që duhet vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19”, konfirmuan nga MSh-ja për Express.

Gjatë kësaj jave, edhe Norvegjia ka njoftuar se do t’i dalë në ndihmë Kosovës me vaksina. Nga ky shtet është njoftuar se për Kosovën janë ndarë 180 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca.

Në ndërkohë nga 15 qershori në Kosovë ka filluar vaksinimi masiv.

Vaksinat e fundit që kanë ardhur në Kosovë, janë 10 mijë vaksinat e dhuruara nga Kroacia me 10 qershor.

Para këtij kontingjenti, më 27 maj në Kosovë kanë arritur edhe 100,620 vaksina falë Aleancës Gavi të COVAX.

Ardhje të vaksinave në Kosovë, pati edhe me 12 maj të këtij viti. Në këtë ditë Kosova pranoi 38.400 vaksina nga Covax.

Më 4 maj Kosova pati pranuar edhe 4680 vaksina nga donacioni i BE-së, teksa vaksinat e para që pranoi Kosova ishin 24 mijë copa nga Astra Zeneca, më 28 mars.

Kosova poashtu me 28 maj ka blerë edhe 1.213.290 vaksina në marrëveshjen me Pfizer.

Nëse i llogaritim këto shifra, shohim se nga ardhja e kontingjentit të parë me vaksina në Kosovë, janë siguruar gjithsej 177 mijë e 700 vaksina.

Në ndërkohë me dozën e parë janë vaksinuar 152 mijë e 634 qytetarë dhe me të dytën janë vaksinuar 26 mijë e 794 qytetarë.

Vetëm brenda 24-orëve të fundit në Kosovë, 3 mijë e 501 qytetarë e kanë marr vaksinën kundër Covid-19.

Për sa i përket gjendjes epidemiologjike, gjatë 24-orëve të fundit, nga 1.224 testime, 7 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-1, si dhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Sot janë shëruar 12 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105.292. E në total numri i rasteve aktive është 166.