Beogradi pretendon se këtë të hënë, ka ndodhur tërheqja e shtatë e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Këtë herë, sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Mbretëria e Lesotos në jug të Afrikës, nuk e njeh më pavarësinë e vendit.

Në notën verbale të publikuar nga mediat serbe, thuhet se ky shtet po e ndjek nga afër dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se konsideron që deklarata e pavarësisë ishte e njëanshme dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së.

Këtë vendim, Ministri i Jashtëm i Lesotos, ia ka dorëzuar zv/kryeministrit serb, Ivica Dacic, gjatë vizitës së këtij të fundit në Lesoto.

Por, ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë përmes një komunikate për media ka njoftuar se raportimet e mediave serbe për heqje të njohjeve janë të pavërteta.

“Është koha e fundit që liderët në Serbi ta kuptojnë që sukseset e Republikës së Kosovës, sikurse ai në Armeni, nuk mund të ndalen dhe as të mbahen të fshehura. Përkundrazi, ishin po disa nga ato vende për të cilat Serbia pretendonte që po ri-konsideronin çështjen e njohjes, të cilat ishin në favor të avancimit të statusit të Republikës së Kosovës nga vend vëzhgues në vend të asocuar”, thuhet në një komunikatë.

Njohja e Kosovës nga shteti afrikan kishte ndodhur më 17 shkurt 2014, në përvjetorin e 7-të të pavarësisë, nëpërmjet kësaj note verbale.