Gjatë ditës së sotme është raportuar se Spanja pritet të hapë zyrë ndërlidhëse në Kosovë, duke ditur qëndrimin që ky vend ka ndaj shtetit të Kosovës.

E se do hapet kjo zyre e kanë mohuar Ministria e Jashtme e Spanjës duke thënë se kjo nuk ka ndodhur, dhe se dihet qëndrimi i tyre tanimë.

Ministria e Jashtme e Spanjës, në një përgjigjie për klankosova.tv, ka thënë se ky shtet, nuk ka në plan të hapë zyrë ndërlidhëse në Prishtinë.

”Nuk ka asnjë plan për të hapur një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë”, thuhet në përgjigjie.

Veç kësaj, thuhet se pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, nuk ka ndryshuar.

Por, lë të kuptojë se ky qëndrim nuk ndryshon nëse çështja nuk zgjidhet përmes dialogut.

”Pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e deklaratës së Pavarësisë, i miratuar nga Prishtina në 2008, nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë nëse çështja nuk zgjidhet përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Megjithatë, Spanja e mirëpret si hap pozitiv rinisjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

”Në këtë kuptim, ne e konsiderojmë rinisjen e dialogut si një lajm të mirë. Është e nevojshme të shfrytëzohet momenti për t’u përpjekur të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dy palët dhe e respektueshme për të Drejtën Ndërkombëtare”.

”Për të arritur këtë qëllim ne kemi një ARVP, z. Borrell, i cili ka interes të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe me punën e shkëlqyeshme të Miroslav Lajcak, të cilën ne e mbështesim plotësisht”.

Tutje në përgjigjen e tyre për klankosova.tv, MPJ e Spanjës, thotë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë përparësi për të, është stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i Ballkanit.

”Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, sa më shumë që të mundemi, në këto përpjekje, pasi përparësia për Spanjën është stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i Ballkanit”.